Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Tiranë, zhvillon në datat 7 dhe 8 Nëntor 2024, aktivitetin trajnues me temë: “Hetimi dhe Gjykimi i Veprave Penale lidhur me Prokurimin Publik dhe Korrupsionin", në Tiranë.
Aktivitetin e përshëndetën Z. Arben Rakipi, Drejtor i Shkollës, Z. Michel Tarran, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së dhe Z. Erjon Bani, Zv/Kryetar i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Të gjitha fjalët përshëndetëse e vunë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare në luftën kundër këtyre veprave penale, domosdoshmëria e trajnimeve në këtë fushë për rritjen e efikasitetit në zbatimin e legjislacionit dhe rregullave përkatëse si dhe rëndësinë e përditësimit të magjistratëve me të rejat në këtë fushë të ligjit.
Trajnimi drejtohet nga ekspertët Znj. Reida Kashta, Agjencia e Prokurimit Publik, Znj. Enkeleda Millonai, Prokurore në SPAK, Z. Erjon Bani, Zv/Kryetar i GJKKO, me lehtësuese Znj. Flojera Davidhi, gjyqtare në GJKKO.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues trajtohen tema të ndryshme, si:
- Procedurat administrative si mjet për të parandaluar keqpërdorimin e fondeve publike në proceset e prokurimit – ku trajtohen risitë e legjislacionit në fushën e prokurimeve publike si dhe hetimi administrativ;
- Hetimi i veprave penale në fushën e prokurimit publik, lidhjet me korrupsionin – ku trajtohen Elementet e veprës penale të ”Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” N. 258 i K.Penal. Subjektet, sjellja e kundërligjshme dhe pasoja. Konkurrimi me korrupsionin dhe vepra te tjera penale. Përfshirja e krimit të organizuar në prokurimin publik. Praktikë gjyqësore vendase dhe ndërkombëtare. Njëkohësisht trajtohet edhe hetimi i veprës penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal dhe përdorimi i mjeteve të kërkimit të provës.
- Ndikimi i kritereve dhe specifikimeve teknike në procesin e prokurimit publik;
- Elementët e përgjegjësisë penale në procedurat e koncesionit dhe partneritetit publik privat;
- Elementët e përgjegjësisë penale në procedurat e koncesionit dhe partneritetit publik privat;
Të gjitha tematikat shoqërohen me diskutime të çështjeve nga praktika gjyqësore.
Në këtë aktivitet trajnues ishin ftuar të merrnin pjesë gjyqtarë nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe prokurorë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.